Të jetosh dhe të punosh në Gjermani: Rregullorja për Ballkanin Perëndimor

Informacione mbi lejen e punësimit për qytetaret dhe qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor

A mendoni të ndërtoni një të ardhme për veten tuaj në Gjermani?

Në këto faqe do të gjeni informacione për lejen e qëndrimit, kushtet dhe procedurat për shtetaset dhe shtetasit nga Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Kosova, Republika e Maqedonisë së Veriut, Mali i Zi dhe Serbia. Ne dëshirojmë t'ju informojmë për mundësitë që keni në dispozicion për të marrë një leje qëndrimi për punësim në Gjermani dhe çfarë kushtesh duhet të plotësoni për këtë.

 

Qasja juaj në tregun gjerman të punës në kuadër të të ashtuquajturës Rregullore për Ballkanin Perëndimor (neni 26 paragrafi 2 i Urdhëresës së Punësimit)

Për shtetasit e të ashtuquajturave shtete të Ballkanit Perëndimor, më 01.01.2016, është krijuar një mënyrë shtesë për punësim, e cila në parim u jep atyre mundësinë për të aplikuar për vizë pune pavarësisht nga kualifikimet e tyre (neni 26 para. 2 i Urdhëresës së Punësimit). Bëhet fjalë për shtetasit e Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë.

Në kuadër të Ligjit të ri të imigrimit për punëtorë të kualifikuar 2.0, i cili hyn në fuqi më 18.11.2023, Rregullorja për Ballkanin Perëndimor do të zgjatet për një periudhe të pacaktuar kohore dhe kontrolli i përparësisë do të pezullohet deri në një njoftim tjetër. Që nga janari 2021, pëlqimet për punësim, janë kufizuar në 25.000 për vit kalendarik (kuota). Kjo kuotë nga qershori 2024 do të rritet në 50.000 për vit kalendarik.
 

Kushtet për të marrë pëlqimin për punësim janë:

  • një ofertë konkrete pune / një kontratë pune,
  • kushtet e punësimit korrespondojnë me ato të një punëtori të krahasueshëm në Gjermani,
  • aplikuesi apo aplikuesja nuk duhet të ketë marrë asnjë ndihmë sipas Ligjit për ndihmat e azilkërkuesve në 24 muajt e fundit përpara aplikimit,
  • duhet të plotësohen kriteret e tjera për vizë (në veçanti, të ardhurat duhet të jenë të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet e jetesës).

Procedura e verifikimit paraprak nëpërmjet Agjencisë Federale të Punësimit nuk është e mundur për punësimin sipas kësaj baze ligjore.

Punësimi si pjesë e dërgimit të punëtorëve në shtete tjera nuk është i mundur mbi këtë bazë ligjore.
 

Si të veproni më tej?

Personat nga Ballkani Perëndimor të cilët kanë gjetur një vend pune në Gjermani dhe dëshirojnë të punojnë sipas kësaj baze ligjore duhet të kontaktojnë direkt misionin diplomatik gjerman në vendin e tyre të origjinës me kontratën e tyre të punës (përgjegjës është vetëm misioni diplomatik përkatës në një nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor) për të aplikuar për vizë pune. Krahas kontratës së punës dhe, nëse është e nevojshme, dëshmisë të kualifikimeve profesionale, duhet të dorëzohen edhe dokumentet e tjera të nevojshme për lëshimin e vizës. Nëse jepet një vizë përkatëse, personi, pas hyrjes në Gjermani, kontakton autoritetin lokal të imigracionit/zyrën për të huajt për të aplikuar për një leje qëndrimi.

Vendndodhjen e misionit diplomatik gjerman në vendin tuaj të origjinës mund ta gjeni në www.auswaertiges-amt.de.

Kushdo që aplikon për herë të parë për leje qëndrimi sipas kësaj baze ligjore dhe është 45 vjeç e lart, duhet të jetë në gjendje të sigurojë dëshmi të një kontrate pune me një pagë të garantuar prej të paktën 55% të kufirit vjetor të vlerësimit të kontributit të sigurimit të përgjithshëm pensional ose një sigurim adekuat pensional. Për vitin 2024, paga minimale vjetore këtu është 49.830,- € bruto, ose 4152,50 € bruto në muaj. Përjashtimet janë të mundshme nëse ekziston një interes publik, veçanërisht rajonal, ekonomik ose i tregut të punës për punësimin e të huajit.