Rrugë për marrjen e lejes së punës

Informacione për aplikante dhe aplikantë me kualifikime specifike

Kontrolli lidhur me përparësinë e aplikanteve dhe aplikantëve brenda vendit nuk bëhet nëse keni kualifikime specifike:

Ju jeni specialist me arsim akademik:

Nëse keni një diplomë universitare dhe nëse ju ofrohet një kontratë pune për një pozicion që korrespondon me diplomën tuaj, mund të aplikoni për të ashtuquajturën "Karta blu e BE-së". Për këtë duhet të provohet në fillim nëse diploma universitare është e krahasueshme me një diplomë të një universiteti gjerman. Nevojitet të ardhura vjetore bruto prej minimumi 56.800 €. Kjo shumë vlen për vitin 2021. Shumat ndryshojnë çdo vit.

Nëse keni diplomë universitare në një profesion, i cili ka aktualisht kërkesë të lartë në Gjermani (shkencëtare/shkencëtar, matematikane/matematikan, inxhiniere/inxhinier, specialiste/specialist i mjekësisë humane dhe specialistë akademikë të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit) dhe ju ofrohet një kontratë pune, mund të aplikoni për "Kartën blu të BE-së" duke filluar nga një pagë vjetore buruto prej 44.304 €. Kjo shumë vlen për vitin 2021. Shumat ndryshojnë çdo vit.

Posedueset/poseduesit e një karte blu të BE-së mund të marrin një leje qëndrimi të përhershme - pra një vizë të përhershme - pas 33 muajsh ose pas 21 muajsh nëse kanë një dëshmi të njohurive të mjaftueshme të gjermanishtes.

Ju jeni specialist me trajnim profesional:

Nëse keni një diplomë profesionale dhe një ofertë pune konkrete, mund të merrni një vizë për fillimin e punës, nëse Zyra Federale e Punësimit konstaton se kushtet e punësimit të ofertës së punës u korrespondojnë atyre të punëtorëve vendas në Gjermani.

Përveç kësaj, për të aplikuar për titullin e qëndrimit duhet të kontrollohet nëse kualifikimi profesional ekzistues është i krahasueshëm me një diplomë profesionale përkatëse gjermane. Informacione për këtë procedurë gjeni në gjermanisht dhe anglisht në faqen e internetit www.anerkennung-in-deutschland.de.

Nëse Enti i njohjes së diplomave konstaton se nevojiten kualifikime të tjera për ekuivalentimin e diplomës, sipas kushteve të caktuara mund të lejohet një punësim në nivel ndihmës paralelisht me procedurën e ekuivalentimit.

Si specialist me formim profesional ose akademik, mund të aplikoni për vizë direkt në ambasadën gjermane në vendin tuaj.

Shënim:

Pyetje? Për specialistë dhe persona me kualifikim të lartë ia vlen t'i hidhet një sy portalit të mirëseardhjes www.make-it-in-germany.com/en/. Këtu, specialistët ndërkombëtarë gjejnë informacione mbi shanset e tyre të karrierës në Gjermani - dhe pse ia vlen të jetosh dhe të punosh këtu.

Viza si punëkërkues:

Qasja në tregun e punës si specialist me formim akademik ose profesional parashikon posedimin e një ofertë pune. Nëse dispononi një diplomë universitare ose diplomë profesionale të krahasueshme me ato në Gjermani, mund të aplikoni për vizë në kërkim pune edhe nëse nuk keni një ofertë pune konkrete. Me këtë vizë mund të udhëtoni në Gjermani për të gjetur vend pune për një periudhë deri në gjashtë muaj. Kusht është që ju mund ta financoni jetesën tuaj gjatë kësaj periudhe edhe pa pasur një punë.